E bukura është ajo që kemi nevojë. Ajo përfaqëson parimin e komplementaritetit. E bukura mbush boshllëkun dhe krijon një tërësi kur vihet në kontakt me qenien, pra e plotëson atë. Kjo sepse e bukura nuk qëndron e shkëputur nga ai që e percepton, por ndryshon në varësi të çdo njeriu. Që në fillim, duhet të theksojmë se nuk ka kuptim ta trajtojmë të bukurën si një postulat shkencor objektiv me parime të pandryshueshme. E bukura është, para së gjithash, një marrëdhënie ose një ndërveprim mes një objekti apo frymori dhe perceptuesit të tij.
Ekzistojnë ide praktike për mënyrën se si diçka mund të konsiderohet e bukur, si p.sh. harmonia, simetria, etj. Megjithatë, kemi parë që këto rregulla nuk janë të vlefshme për çdo formë të re arti që lind. Këto rregulla burojnë nga një kontekst i caktuar, kur një shoqëri e gjen plotësinë e saj në atë shfaqje të së bukurës.
Mund ta krahasojmë me një copë ëmbëlsire: kur je i ngopur, ajo të duket e neveritshme sepse nuk ke nevojë për të, por kur je i uritur, të duket si gjëja më e shijshme në botë. Kjo siguron relativitetin e bukurisë, të cilin ne sot e kuptojmë mirë. Gjithashtu, kjo siguron ekzistencën e dy formave të bukurisë: asaj dionisiake dhe asaj apoloniane.
Një person i rritur në një ambient të ashpër dhe luftarak do të tërhiqet më shumë nga arti apollonian, sepse aty gjen atë që i mungon, duke e plotësuar. Ndërsa sot, në një ambient të qetë, arti shpesh reflekton të shëmtuarën, dhunën, irritimin, sepse paqja është dominuesja e ambientit.
Njeriu do të kërkojë ëmbëlsirën deri sa të ngopet me të. Nuk do ta braktisë një formë arti pa u ngopur më parë me të, sepse ai duhet të ushqehet më parë me atë formë.
Në aspektin psikologjik, nëse do të mbështetemi te teoria e Jung-ut për ëndrrat, të cilat kanë funksion kompensues, atëherë e bukura ka të njëjtin funksion në jetën tonë si ëndrrat. Ajo sjell në jetën tonë të ndërgjegjshme ato aspekte që nuk shfaqen, por që janë aty. E bukura është ajo që siguron plotësinë dhe jo plotësia vetë.
Në një kohë kur njeriu është më pragmatik dhe racional, e mistershmja bëhet më tërheqëse dhe e kundërta ndodh gjithashtu. Për shembull, shpërthimi i filozofisë helene ndodhi në një kohë supersticioze, ndërsa rritja e supersticionit, si kultura “New Age” dhe më vonë lëvizja “Woke”, ndodh në kulmin e një kulture racionale.
E bukura, në këtë kuptim, shfaqet si një kompensues për nevojat dhe dëshirat tona më të thella. Ajo është një ëndërr, e cila na tregon diçka për veten që shpesh e kemi të panjohur. Ëndrrat na kujtojnë aspekte nga e shkuara që nuk i kemi tejkaluar ose që dëshirojmë t’i rikthejmë, duke e bërë të bukurën një pasqyrë të asaj që na mungon. Megjithatë, ato rrallëherë na paralajmërojnë ose parashikojnë të ardhmen, duke na ftuar të reflektojmë mbi vetveten dhe përjetimet tona.