Skip to main content

E mendoj shpesh sa e çuditshme është kujtesa. Një fenomen që i jep jetëgjatësi diçkaje që vdes moment pas momenti. Një lëvizjeje, një fjale, një gjendjeje që ishte aty kalimthi. Që nuk kishte për qëllim të ndalonte, të qëndronte, të fliste. Por ti e gjete dhe e bëre të flasë, e bëre të qëndrojë, t’i japësh brenda teje një jetë të gjatë. Kujtesa, pra, dhuron jetë. Në një formë të re, më të plotë.

Kujtesa nuk ka të bëjë thjesht me zgjatjen e ekzistencës së diçkaje, por me sjelljen në jetë të sendeve, ngjarjeve e njerëzve. Kujtesa u jep atyre jetën e vërtetë, përtej së zakonshmes. Çfarë do të ishte vjeshta pa pikturat, pa muzikën, pa poezinë që lind kur ajo kalon përmes kujtesës sonë? Ndoshta një vdekje e përvitshme, një largim nga jeta tokësore. Por vjeshta e Vivaldit i jep asaj jetën e vërtetë, atë të përjetshmen dhe të premtuarën.

Kujtesa është gjithashtu një gjyqtare e realitetit. Ajo zgjedh çfarë duhet të jetojë dhe çfarë duhet të vdesë, sepse vetëm ajo që mbetet brenda saj do të vazhdojë të jetojë. Gjithçka tjetër do të mbytet në humnerën e harresës. Njeriu, si qenie, nuk jeton në rrafshin e kafshëve që jetojnë ose vdesin moment pas momenti, ndjekur pashmangshmërisht nga harresa. Njeriu jeton në botën e kujtesës, në botën e jetës së vërtetë. Ndoshta, kur përshkruhet në Librin e Zanafillës krijimi i njeriut prej balte, fryma e Perëndisë që i futet në vrimat e hundës për t’i dhënë jetë është në vetvete kujtesa. Dhe harresa e urdhrit të Perëndisë sjell vdekjen e tij, largimin nga jeta e vërtetë.

Kujtesa mban brenda lumturi dhe dhimbje, të mira dhe të këqija. Ajo bën një lloj tjetër gjykimi, jo thjesht ndërmjet të mirës dhe të keqes, por ndërmjet të rëndësishmes dhe të parëndësishmes. E mira shërben si karburant për vazhdimin dhe motivimin e jetës, ndërsa e keqja transformohet në një mësim, pra kthehet në një të mirë, nëse ti e lejon të kthehet në këtë të mirë.

Kujtesa, pra, është prezantimi i përjetësisë në këtë rrafsh jo të përsosur, të dominuar nga vdekja. Kujtesa mposht të zakonshmen, filtron gjithë lumin e jetës dhe e bën atë më të përsosur. Kujtesa është një dhuratë e shenjtë, që na tregon se çfarë është e rëndësishme dhe çfarë jo. Gjuha e saj është disi e paqartë për ne, dhe detyra jonë është të kuptojmë se çfarë është një mësim dhe çfarë është një dhuratë e mirë.