A është e rëndësishme materia?
Ky trajtim buron nga qasja kryesisht e restaurimit të veprave të artit në Evropë. Përpjekjet më të mëdha për restaurim kanë si qëllim ruajtjen sa më të mirë të materies origjinale; vetëm aty ku materia është shkatërruar plotësisht ndërhyhet, dhe shpesh ndërhyrja kufizohet, duke e lënë veprën ashtu siç ka mbetur. Përballë kësaj qasjeje qëndron një tjetër: ndërhyrja në materien origjinale për të rikthyer veprën në formën e saj fillestare, ashtu siç dukej në momentin kur ishte përfunduar.
Të dyja këto qasje mbështeten në një qëndrim mbi rëndësinë ose mosrëndësinë e materies. Në qasjen e dytë, materia është vetëm mbartëse e idesë së autorit dhe mund të zëvendësohet për të ruajtur idenë fillestare të paprekur. Nga ana tjetër, qasja e parë e shikon veprën si një entitet më vete, të shkëputur disi nga autori. Kjo qasje shqyrton rrugëtimin e veprës përkrah idesë fillestare të autorit, duke vendosur epërsinë e materies origjinale mbi idenë.
Por, a ka diçka që e bën materien kaq të rëndësishme? Në trupin tonë, biologjia ndjek një qasje ku materia zëvendësohet për të ruajtur idenë ose pattern-in, dhe kështu ajo ka thjesht funksionin e mbartjes së kësaj ideje. Ndonjëherë më duket sikur ky pikëvështrim vjen nga ideja se veprat janë të ngjashme me qeniet njerëzore: ato lindin, rriten, plaken, dhe pas vdekjes mund të mumifikohen, madje edhe të “ringjallen.”
Në veprat e disa artistëve, si p.sh. Abramishvili, ky proces i vjetërimit të veprës kthehet në një motiv për krijimin e veprave të reja që ngjajnë si të vjetra. Edhe unë kam bërë një kërkim të ngjashëm në një periudhë si piktor, duke imituar nxirjen e ikonave të vjetra. Por, pavarësisht këtyre rasteve, nuk është ky motivi që i shtyn njerëzit drejt një qasjeje ndaj materies.
Materia ruan misteret e veta dhe krijon ide përmes vetë proceseve të saj. Pra, jo çdo gjë vjen prej botës së ideve për t’u materializuar; idetë mund të ndryshojnë formë për shkak të materies dhe proceseve që ndodhin mbi të. Arsye të tjera lidhen me formulat e përgatitjes së murit, bojërave, dhe teknikave që duam të ruajmë, të cilat janë mistere të tjera të materies, por më pak të rëndësishme për artistin, pasi ai mund të gjejë një teknikë të re për të arritur një rezultat të ngjashëm.
Ndoshta qasja e ruajtjes së materies ka të bëjë me një lloj supersticioni magjik ose besimi se materia e përdorur për krijimin e një vepre artistike nuk duhet kurrsesi të pësojë ndryshime, sepse do të humbasë energjinë fillestare dhe peshën që koha ka ushtruar mbi të. Njëlloj siç nuk përpiqemi të bëjmë të njëjtën gjë me trupat e të vdekurve, nuk ndërhyjmë as në veprat e artit për të respektuar jetën e tyre ashtu siç ka qenë.
Në përfundim, diskutimi mund të shtrohet edhe kështu: Gjëja më e rëndësishme është që vepra e artit të duket ashtu si artisti ka vendosur të duket, apo do t’i atribuojmë veprës një jetë të vetën, ku, pas daljes nga dora e artistit, ajo ka një pavarësi të sajën? Nëse do të bëjmë një analogji që artistët e bëjnë shpesh — që veprat e tyre janë si fëmijët e tyre — atëherë është tjetër gjë dëshira e prindit për të ardhmen dhe tjetër gjë aspiratat e vetë fëmijës. Nga ana tjetër, veprat nuk kanë dëshira si fëmijët, ose të paktën jo aq të artikuluara, por ato janë pjesë e Zeitgeist-it (frymës së kohës) dhe, nën ndikimin e kësaj fryme, marrin jetë ose vdesin. Veprat janë pjesë e trupit të këtij Zeitgeist-i dhe prej tij ato zhvillojnë jetën dhe vdekjen e tyre. Është gjithashtu kjo frymë që përcakton dhe qasjen ndaj plakjes së tyre. Fryma e kohës sot refuzon disi plakjen dhe vdekjen si procese normale të jetës dhe, për rrjedhim, zgjedh qasjen e ruajtjes ekstreme të materies origjinale të veprave, njëlloj si kjo frymë nxit tek njerëzit ndërhyrje të shumta në trupin e tyre për të dukur sa më të rinj.